Policia ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Admir Çerpja, një nga organizatorët e grupit të grabitjeve me armë të vlerave monetare në rrugën e Rinasit.

35 ? vjeçari, banues në Bathore të Tiranës u ndalua rreth orës 21.00, në fshatin Zalldardhë të Dibrës. Ai po afrohej për t'u futur në fshat për të blerë ushqim.

Në vijim të kontrolleve të shumta dhe menaxhimit të informacionit të grumbulluar në mënyrë të pandërprerë në lidhje me vendodhjen e këtij personi, u bë e mundur ndërhyrja në kohë duke e prangosur atë.

Admir (Gjuljano) Çerpja është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprimë të mëtejshme.

Operacioni për kapjen e Çerpjas vijonte prej disa ditësh në qarkun Dibër. Në të u përfshinë forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Renea, Forca e Posaçme Operacionale dhe FNSH.

Policia e Shtetit thotë se vazhdon kërkimin me grupe të shumta në zona të tjera veriore për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të tjerë të shpallur në kërkim./tvklan.al